Shqip | Albanian

The Orange Door (Dera Portokalli) ofron ndihmë dhe mbështetje për dhunën në familje, si dhe familjet që kanë nevojë për mbështetje me mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve. Information about The Orange Door in Albanian.

Informacion në Shqip

The Orange Door (Dera Portokalli) ofron ndihmë dhe mbështetje për dhunën në familje, si dhe familjet që kanë nevojë për mbështetje me mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve.

Ndonjëherë gjërat në shtëpi/familje ose në një marrëdhënie/relacion nuk janë në rregull dhe keni nevojë për ndihmë dhe mbështetje. The Orange Door është këtu për t'ju dëgjuar dhe për t'ju ndihmuar të merrni mbështetjen që ju nevojitet në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë.

Nëse jeni në rrezik të menjëhershëm, telefononi Tre zero (000).

The Orange Door mund të ndihmojë nëse:

  • Keni nevojë për ndihmë me prindërimin, ose jeni të shqetësuar për mirëqenien ose zhvillimin e një fëmije ose personi të ri/re.
  • Dikush afër jush ju bën të ndiheni të frikësuar ose në rrezik si për shembull partneri juaj, ish-partneri, anëtari i familjes ose kujdestari.
  • Jeni një fëmijë ose i ri/e re që ndihet në rrezik ose që nuk kujdesen për të.
  • Jeni në rrezik të përdorni sjellje abuzive ose kontrolluese ose keni nevojë për ndihmë me këto sjellje në shtëpi ose në një marrëdhënie/relacion.
  • Jeni të shqetësuar për sigurinë e dikujt që njihni.
  • Keni përjetuar dhunë në familje, duke përfshirë sjelljen kontrolluese si për shembull dikush që kontrollon/vëzhgon vazhdimisht se ku shkoni, kë vizitoni ose si i shpenzoni paratë.

The Orange Door mund të ndihmojë duke:

  • Ju dëgjuar hallet si dhe shqetësimet tuaja.
  • Punuar me ju për të identifikuar ndihmën dhe mbështetjen që ju nevojitet.
  • Ju mbështetur në mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve.
  • Ju ndihmuar të bëni një plan sigurie për të mbajtur ju dhe fëmijët tuaj jashtë rrezikut.
  • Ju lidhur me shërbime që mund t'ju ndihmojnë, të tilla si këshillimi, akomodimi/strehimi, mbështetja e dhunës në familje, shëndeti mendor dhe shërbimet e drogës dhe alkoolit, grupet e mbështetjes së prindërve, shërbimet për fëmijët, ndihma financiare ose ndihma ligjore.
  • Ju mbështetur për të marrë fonde për shpenzimet bazë të jetesës dhe kostot e tjera.
  • Punuar me ju për t'ju ndihmuar të ndryshoni nëse jeni duke përdorur sjellje abuzive ose kontrolluese në shtëpi ose në një marrëdhënie/relacion.

Si mund ta gjej/kërkoj The Orange Door?

The Orange Door është e hapur nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 5 pasdite, nga e hëna deri në të premte (e mbyllur gjatë festave publike).

Kërkoni sipas vendndodhjes ose kodit postar për të gjetur shërbimin tuaj lokal.

The Orange Door mund t'ju ndihmojë edhe nëse përdorni mjete ndihmëse komunikimi ose kërkoni një përkthyes, duke përfshirë Auslan (Gjuha Australiane e Shënjave).

Më nevojitet një përkthyes

Njoftoni personelin tonë nëse keni nevojë për një përkthyes. Tregojini personelit:

  • numrin tuaj të telefonit
  • gjuhën tuaj
  • kur nuk ndjeheni në rrezik/kohën e përshtatshme për të kryer telefonatën.

Atëherë një përkthyes do t'ju telefonojë më pas.

A është The Orange Door një shërbim i krijuar për mua?

The Orange Door mirëpret njerëz të çdo moshe, gjinie, seksualiteti, kulture dhe aftësie. Respektohen të gjitha preferencat kulturore dhe fetare. Njoftoni punonjësin nëse preferoni të punoni me një punonjës mashkull apo femër. The Orange Door punon me shërbimet multikulturore, shërbimet LGBTI dhe shërbimet për njerëzit me aftësi të kufizuar për të përmbushur nevojat e ndryshme të individëve dhe familjeve. Personeli do t'ju japë informacion rreth opsioneve dhe do t'ju lidhë me shërbimet që ju nevojiten.

Ne mund t'ju ndihmojmë edhe nëse jeni emigrant ose refugjat ose kur nuk keni vendbanim të përhershëm në Australi. Mos kini frikë të kërkoni mbështetje për shkak të statusit tuaj të emigrimit. Shërbimi ynë është falas. Njoftoni punonjësit e The Orange Door nëse preferoni ta diskutoni situatën tuaj në telefon ose personalisht/ballë për ballë.

Ku duhet të shkoj kur The Orange Door nuk është e hapur?

Kontaktoni shërbimet e mëposhtme jashtë orarit:

  • Shërbimi i Referimit të Burrave në 1300 766 491 (8 e mëngjesit deri ne 9 të mbrëmjes, nga e hëna deri në të premte dhe nga ora 9 e mëngjesit deri në 6 të mbrëmjes, të shtunën dhe të dielën si dhe gjatë festave publike) (Shërbimi telefonik i këshillimit për dhunën në familje për burrat, si dhe informacione dhe shërbime referimi)
  • Safe Steps është një shërbim mbështetës për viktimat e dhunës në familje 1800 015 188 (24 orë, 7 ditë në javë). Gjithashtu ju mund t'i dërgoni email Safe Steps ose të përdorni shërbimin e tyre të mbështetjes së bisedës së drejtpërdrejtë në faqen e tyre të internetit (live web chat)
  • Linja e ndihmës për viktimat e krimit (për të gjitha viktimat e krimit dhe meshkujt e rritur që janë viktima të dhunës në familje) 1800 819 817 ose dërgo mesazh në 0427 767 891 (8 e mëngjesit deri në 11 në mbrëmje, çdo ditë)
  • Linja e Krizës së Sulmit Seksual është për viktimat e sulmeve seksuale 1800 806 292 (24 orë, 7 ditë në javë)
Nëse ju ose dikush tjetër jeni në rrezik të menjëhershëm, telefononi Triple Zero/ Tre Zero (000) për ndihmë urgjente.

Sugjerimet dhe privatësia

Ju mund të jepni komente/ankime për përvojën tuaj me "The Orange Door" duke përdorur formularin e komenteve/ankimeve në adresën e internetit orangedoor.vic.gov.au/feedback ose duke telefonuar numrin 1800 312 820 dhe duke kërkuar të flisni me punonjësin tuaj, një mbikëqyrës ose menaxherin.

Ne e marrim seriozisht privatësinë tuaj. Për të zbuluar se si do t'a përdorim informacionin tuaj, ju lutemi referojuni rregullave tona rreth privatësisë.

Updated